Çfarë duhet të bëj që të ndreq jetën time me Zotin.
Të dielën e kaluar në takimin që kemi pasur në Hoq, kemi bërë një pyetje. Kush ma thotë, cila ishte pyetja? Edhe sot do të fillojmë me të njëjtën pyetje. Cila është dëshira jonë sot?
Filipianët 3:13.
Njeriu sot ka shumë dëshira, dhe njëra nga dëshirat është të ndryshojë botën. Kjo dëshirë nuk është vetëm tek ata që janë në botë, pra që nuk e njohin Zotin, por kjo dëshirë gjindet edhe në jetën e besimtarit. Ne shumë herë bëjmë gjëra sepse dëshirojmë të ndryshojmë të tjerët. Por a është e mundur kjo? A duhet ti bëjmë gjërat vetëm për të ndryshuar të tjerët? Shumë herë, ne bëjmë gjëra vetëm për të mos ia prishur qejfin të tjerëve.
Kam lexuar një herë fjalët vijuese që janë të shkruara tek koka e varrit të një njeriu në Londër në vitin 1533 të cilat na bëjnë të mendohemi seriozisht. Edhe ai kishte të njëjtën dëshirë për të ndryshuar botën. Por si mund ta ndryshojmë botën? Të lexojmë fjalët e këtij njeriu.
"Në rininë time, imagjinata ime nuk kishte kufij. Ëndërroja për të ndryshuar botën. Por ndërsa vitet kalonin, u bëra më i pjekur dhe më i urtë, dhe zbulova se bota nuk mund të ndryshonte aq kollaj. Kështu që vendosa për të ndryshuar vendin tim. Por edhe kjo ishte e vështirë dhe e kuptova se nuk mund tia arrija qëllimit. Kështu që kur arrita pleqërinë time, në një përpjekje të fundit u përpoqa që të ndryshoja familjen time, por edhe këtu nuk pata shumë rezultat, sepse ata as që donin tia dinin. Ndërsa tani që jam në shtratin e vdekjes kam kuptuar, se nëse do të kisha ndryshuar së pari veten time, atëherë me anë të shembullit tim mund të kisha ndryshuar familjen time, dhe nëpërmjet familjes sime do të kisha ndryshuar vendin tim, dhe nëpërmjet vendit tim do të kisha ndryshuar gjithë botën".
Ndryshimi duhet të fillojë me ty. Rritja në Zotin është një garë pa shiritin e finishit. Pali shkroi: "Duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara". Unë, ti, duhet të punojmë me veten tonë. nëse me të vërtetë dëshirojmë të rritemi dhe të përmirsohemi, duhet të ruhemi nga këto tri gjëra që mund të na vjedhin dhe të shpërdorojnë kohën tonë.
1). Dembelizmi: kohë e shpenzuar pa qëllim, vetëm për të kaluar kohën.
2). Neglizhenca: mundësi të humbura që kurrë nuk mund të rifitohen. Që Zoti të ka dhënë ti flasësh dikujt, dhe ti ke menduar që mund ti flas edhe herë të tjera, duke parë që e njoh.
3). Parregullsia: mungesa në përgaditje, që sjell si rezultat gabime që të vjedhin kohën. Jeta nuk është thjesht si puna e provës së kostumit tek rrobaqepësi, është e vërtetë, kështu që duhet ti kushtojmë të gjithë energjinë tonë sot.
Prandaj duke qënë në fund të këtij viti, jam i bindur që, të gjithë kemi parë mangësitë tona, të gjithë mund të themi që nuk kemi bërë atë që Perëndia ka dëshiruar që ne të bënim gjatë këtij viti, por në këtë moment nuk duhet të dëshpërohemi, por të bëjmë ashtu siç na shkruan apostulli Pal dhe që e lexuam në fillim. Ta lexojmë përsëri: "Duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara".
Zoti na ndihmoftë që të bëjmë çdo ditë këtë gjë, sepse vetëm atëherë do të kemi gëzimin e Perëndisë në jetën tonë, vetëm atëherë do të ndjejmë që po jetojmë me të vërtetë për Perëndinë, vetëm atëherë gjërat mund të ndryshojnë.